Me ardhjen e verës, rriten ndjeshëm edhe rreziqet nga zjarret në pyje, të cilat nuk dëmtojnë vetëm mjedisin, por kanë ndikim serioz edhe në shëndetin e njeriut, sidomos në tru.
Një studim i realizuar me mbi 10,000 të rritur në Shtetet e Bashkuara tregon se ekspozimi ndaj tymit të zjarreve ndikon menjëherë në funksionin njohës, jo vetëm gjatë orëve pas ekspozimit, por edhe ditën tjetër. Efektet janë më të theksuara tek ata që përjetojnë ekspozim ndaj tymit më të dendur, sidomos në rajonet perëndimore të SHBA-së, ku zjarret janë më të shpeshta.
Hulumtime të ngjashme nga Australia kanë vërtetuar se grimcat e imta që ndodhen në tym shkaktojnë stres oksidativ – një gjendje që dëmton qelizat dhe nxit inflamacionin në tru. Ky proces rrit rrezikun për dëmtime të funksionit njohës, humbje të kujtesës dhe zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe Parkinsoni.
Një përmbledhje e gjerë shkencore e publikuar vitin e kaluar thekson se ndryshimet klimatike dhe rritja e zjarreve çojnë në ekspozim më të madh ndaj nxehtësisë ekstreme dhe tymit, duke rritur rrezikun për probleme afatgjata në shëndetin neurologjik.
Si të mbroheni nga tymi i zjarreve
Sipas Mark Lacks, kryetar i Departamentit të Geriatrisë dhe Mjekësisë Paliative në Kolegjin Mjekësor Weill Cornell, këto janë disa masa që duhet të merren:
- Përdorni pastrues ajri në shtëpi
- Mbani dritaret dhe dyert të mbyllura kur ka tym në zonën tuaj
- Kufizoni daljet jashtë, veçanërisht gjatë periudhave me cilësi të keqe të ajrit
- Shmangni aktivitetet fizike të lodhshme jashtë
- Nëse dilni, përdorni maska mbrojtëse të tipit N95 që filtrojnë grimcat e dëmshme
Shkenca është e qartë: tymi nga zjarret në pyje ka pasoja të rënda për trurin dhe shëndetin në përgjithësi. Por me kujdes dhe masa të duhura, këto rreziqe mund të minimizohen.