Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë pas një sulmi me thikë që ndodhi në një kompani të shërbimeve elektrike në qytetin bavarez të Mellrichstadt, Gjermani.
Sipas autoriteteve gjermane, sulmi ndodhi të martën në ambientet e kompanisë Ueberlandwerke Rhoen. Një kontingjent i madh i shërbimeve emergjente ndërhyri menjëherë në vendngjarje për t’u kujdesur për të plagosurit.
Policia konfirmoi se një person vdiq në vend, ndërsa dy të tjerët janë dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë.
Autori i dyshuar është një shtetas gjerman, 21-vjeç, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Policia bëri të ditur se nuk ka asnjë indikacion që ky sulm të ketë motiv politik apo terrorist.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij sulmi të rëndë.