Trump kritikon Muskun: Pa subvencione, do të duhej të kthehej në Afrikën e Jugut

Trump kritikon Muskun: Pa subvencione, do të duhej të kthehej në Afrikën e Jugut

Përplasjet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe themeluesit të Tesla-s, Elon Musk, janë ashpërsuar sërish. Trump ka sugjeruar se pa ndihmën e subvencioneve dhe kontratave qeveritare, Musk do të kishte vështirësi të mbante gjallë bizneset e tij.

“Elon ndoshta ka marrë më shumë subvencione sesa çdo njeri tjetër në histori. Pa to, ndoshta do t’i duhej të mbyllte gjithçka dhe të kthehej në Afrikën e Jugut”, ka shkruar Trump në rrjetin e tij Truth Social.

Presidenti ka paralajmëruar gjithashtu se programi DOGE – Departamenti për Efiçencën Qeveritare, një iniciativë që vetë Musk ka ndihmuar në krijim, mund të nisë hetime ndaj tij.

“Pa lëshime raketash, pa satelitë dhe pa makina elektrike, vendi ynë do të kursente një pasuri. Ndoshta DOGE duhet ta shqyrtojë këtë me kujdes”, theksoi Trump.

Sipas të dhënave të publikuara nga Washington Post, kompanitë e Elon Musk kanë përfituar mbi 38 miliardë dollarë nga kontrata shtetërore, lehtësime tatimore dhe subvencione ndër vite.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Musk, që filluan me bashkëpunime dhe lavdërime të ndërsjella, janë përkeqësuar muajin e fundit. Shkak është bërë mosmarrëveshja për projektligjin e presidentit që synon të adresojë borxhin publik, i cili po përballet me mungesë mbështetjeje në Senat.

Musk ka deklaruar hapur se ky projektligj rrezikon të rrisë ndjeshëm borxhin kombëtar të SHBA-së. Madje, ai ka paralajmëruar se do të mbështesë përpjekjet për largimin e ligjvënësve që votojnë pro këtij projektligji, duke përmendur edhe mundësinë e krijimit të një partie të re.

Shpërndaje lajmin: