Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar qetësi dhe maturi nga qytetarët në prag të shënimit të festës së Vidovdanit, e cila mbahet më 28 qershor në Gazimestan. Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Kurti paralajmëroi për përpjekje që ky tubim të shndërrohet në një ngjarje destabilizuese.
Sipas tij, ka të dhëna nga institucionet e sigurisë që tregojnë për organizimin e grupeve serbe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina që do të marrin pjesë në tubim, duke tentuar ta bëjnë sa më të madh në numër. Kurti theksoi se festimet fetare shpesh janë shfrytëzuar për qëllime politike dhe provokuese nga autoritetet serbe.
“Beogradi po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protestat e brendshme përmes provokimeve në Kosovë. Grupi të organizuar bartin simbole që bien ndesh me rendin kushtetues dhe vlerat demokratike të vendit tonë”, deklaroi Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve, sidomos atyre të komunitetit serb, që të mos bien pre e provokimeve dhe të sillen në përputhje me ligjin.
“Ngjarje si Vidovdani nuk duhet të përdoren për propagandë apo tensione politike. Do të garantojmë rendin dhe nuk do të tolerojmë asnjë veprim që rrezikon sigurinë dhe paqen në vend”, përfundoi Kurti.