Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër pas dështimit për herë të 40-të të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti për bllokadën politike që po zvarrit funksionalizimin e institucioneve.
Në një postim në Facebook, Koci ka deklaruar se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është e qartë se përgjegjësia kryesore për krizën aktuale bie mbi Kurtin.
“Bllokada ka emër: Albin Kurti. Nëse nuk e ndalim, prej 40 do të bëhen 400 dështime, deri në shkatërrimin total të shtetit”, ka shkruar Koci.
Ai ka paralajmëruar se do të protestojë sërish para Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë veprim si një “mision për të çuar deri në fund betejën për funksionimin e shtetit dhe respektimin e rendit kushtetues”.
Koci ka qenë vazhdimisht kritik ndaj mënyrës se si po menaxhohet situata politike në vend, ndërsa thekson se kjo bllokadë po rrezikon seriozisht stabilitetin institucional dhe të ardhmen e Kosovës.