Më 28 qershor, Kosova do të jetë në gatishmëri të lartë për shkak të festës tradicionale serbe “Vidovdan”, e cila pritet të shënohet në kompleksin memorial në Gazimestan. Institucionet e sigurisë kanë përgatitur një plan të detajuar operacional për menaxhimin e çdo situate të mundshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar për tentativa destabilizimi nga grupe të organizuara që, sipas tij, mund të vijnë nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Ai ka theksuar se shënimi i kësaj feste po shfrytëzohet për retorikë nacionaliste.
“Ekzistojnë përpjekje për organizim të grupeve me simbole nacionaliste serbe e ruse, që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe vlerat demokratike të vendit,” deklaroi Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë qasje si shkelje të të drejtave kombëtare të serbëve. Në një deklaratë për mediat serbe, ai ka lavdëruar komunitetin serb që jeton në Kosovë dhe ka bërë thirrje për “unitet kombëtar”.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare, ka njoftuar se janë ndërmarrë masa shtesë sigurie dhe është finalizuar plani operativ për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin çdo provokim dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.
Kjo datë mbetet një ndër më të ndjeshmet për sigurinë në vend, ndaj institucionet apelojnë për maturi dhe respektim të ligjit.