Një tërmet me magnitudë 3.4 të shkallës Rihter është regjistruar të enjten rreth orës 13:51 në jugperëndim të Shqipërisë.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 17 kilometra në juglindje të Patosit, ndërsa thellësia është përllogaritur në vetëm 5 kilometra, duke e bërë atë të ndjeshëm për banorët e zonës.
Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete përreth, përfshirë Fierin, Patosin dhe Ballshin. Deri tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.
Shqipëria ka përjetuar disa lëkundje sizmike gjatë ditëve të fundit, përfshirë një tërmet me magnitudë 4.2 pranë zonës së Fushë-Krujës.