Policia e Kosovës ka filluar patrullime të reja në rrugët e Prishtinës duke përdorur motoçikleta, një metodë kjo që synon përmirësimin e sigurisë në komunikacion.
Vetëm gjatë tri ditëve të para të këtij operacioni, njësiti rajonal i trafikut rrugor ka shqiptuar mbi 45 gjoba për shkelje të ndryshme dhe ka konfiskuar 13 skuterë të paregjistruar.
Ndër shkeljet më të shpeshta janë përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, kalimi në dritë të kuqe, mospërdorimi i rripit të sigurisë dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.
Policia e Kosovës thekson se është e përkushtuar në rritjen e sigurisë rrugore dhe forcimin e prezencës në terren, veçanërisht gjatë sezonit veror kur qarkullimi është më i dendur.