Autoritetet doganore në bashkëpunim me Policinë Kufitare kanë parandaluar një tentativë për futjen e 55 mijë eurove të padeklaruara në territorin e Kosovës përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Gjatë një kontrolli të detajuar në orët e para të mëngjesit, zyrtarët doganorë kanë selektuar për kontroll të dytë një automjet pas deklarimit negativ nga udhëtarët. Si rezultat, është zbuluar një sasi e konsiderueshme parash e fshehur në trupin e drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale. Në përputhje me legjislacionin doganor, 25% e shumës së padeklaruar është konfiskuar, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar përkohësisht deri në përfundim të hetimeve.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se të gjithë udhëtarët që hyjnë apo dalin nga vendi dhe mbajnë më shumë se 10,000 euro, janë të obliguar të deklarojnë shumën në përputhje me ligjin në fuqi. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe sanksionohet me masa ndëshkuese.