Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nuk ka një shpjegim racional për situatën aktuale politike në vend. Ai kritikoi opozitën duke thënë se ndryshe nga çdo opozitë tjetër në një demokraci, ajo në Kosovë nuk po synon shkurtimin e mandatit të qeverisë, por përkundrazi po kontribuon në zgjatjen e tij.
Kurti theksoi se nuk ekziston asnjë marrëveshje me opozitën për të qëndruar më gjatë në pushtet dhe kërkoi që partitë parlamentare të marrin pjesë në votimin për konstituimin e Kuvendit. Ai tha se qeveria aktuale në detyrë ka më pak kompetenca, por i njëjti nivel përgjegjësie dhe pune.
“Kemi hyrë në vitin e pestë të mandatit, por Kuvendi ende nuk është themeluar. Sa më parë që të ndodhë votimi i fshehtë për konstituimin, aq më shpejt mund të kalohet në formimin e qeverisë së re,” tha Kurti.
Sipas tij, në momentin kur do të vijë radha për formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje do të tregojë nëse i ka votat për të udhëhequr mandatin e ri.
Ai shtoi se kishte ofruar mundësi për marrëveshje politike me LDK-në për krijimin e një koalicioni qeveritar, por kishte marrë refuzim të prerë.
Kurti gjithashtu shpjegoi pse nuk po prononcohet para Kuvendit, duke theksuar se atje është vetëm një nga deputetët e subjektit fitues, ndërsa si kryeministër në detyrë zgjedh të flasë në një rol më institucional.
Këto komente ai i bëri pas vendosjes së gurëthemelit për ndërtimin e një depoje për barnat në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.