Erdogan në samitin e NATO-s bën thirrje për armëpushim të përhershëm në Gazë

Erdogan në samitin e NATO-s bën thirrje për armëpushim të përhershëm në Gazë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalës së tij në samitin e NATO-s në Hagë, ka bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm në Rripin e Gazës, duke theksuar rëndësinë e ndalimit të luftimeve për të lehtësuar krizën humanitare që po përshkallëzohet çdo ditë.

Në deklaratën zyrtare të zyrës së tij thuhet se Erdogan ka mirëpritur gjithashtu armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, duke kërkuar që kjo qetësi të jetë afatgjatë dhe jo vetëm një ndalesë e përkohshme e dhunës.

Gjatë samitit, presidenti turk zhvilloi takime me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ku u diskutuan tensionet rajonale, raportet me Bashkimin Evropian, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes dhe çështjet humanitare në Lindjen e Mesme. Më vonë, ai u takua edhe me presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin diskutoi për përpjekjet për paqe në rajon.

“Situata në Gaza është duke u përkeqësuar përditë dhe kërkon një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm,” thuhet në deklaratën e tij. Erdogan përsëriti kërkesën për një zgjidhje diplomatike edhe për tensionet mes SHBA-së dhe Iranit.

Sipas zhvillimeve të fundit, më 24 qershor ka hyrë në fuqi një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, pas një periudhe 12-ditore përplasjesh të ashpra. Konflikti u përshkallëzua pasi Izraeli ndërmori sulme ndaj objektivave bërthamore iraniane më 13 qershor, për të parandaluar përparimin e programit bërthamor të Teheranit. SHBA ndërhyri më 22 qershor me sulme ndaj tri ndërtesave bërthamore në Iran, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me një sulm simbolik ndaj një baze amerikane në Katar.

Erdogan ka qenë një kritik i vazhdueshëm i ofensivës izraelite në Gaza dhe ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Hamasin, duke refuzuar që ta cilësojë si organizatë terroriste. Ai theksoi se nuk do të lejojë askënd t’i imponojë Turqisë pozicione politike në këtë drejtim.

Që nga 7 tetori 2023, Gaza është përballur me një krizë të thellë humanitare, me mbi 56.000 të vrarë nga ofensiva izraelite. Popullsia civile e këtij territori është detyruar të zhvendoset disa herë, ndërsa OKB ka paralajmëruar se banorët janë buzë urisë së madhe.

Shpërndaje lajmin: