Të dënuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes marrin burgim të përjetshëm

Të dënuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes marrin burgim të përjetshëm

Pas një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se dy vite, Gjykata shpalli fajtorë katër të akuzuar për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, duke i dënuar me burgim të përjetshëm.

Vendimi u dha për Velibor Manev, Bore Videvski, Vllatko Keshishev dhe Lupço Palevski, të cilët u shpallën fajtorë për veprat penale të vrasjes. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi dha detaje të rënda mbi mënyrën e kryerjes së krimit, duke zbuluar se Vanja ishte vrarë me armë zjarri në kokë, ndërsa ndodhej në një gropë të hapur më parë.

Sipas aktgjykimit, arma e përdorur ishte një pistoletë 9 milimetërshe dhe krimi u krye nga Palevski, i cili kishte përdorur një jastëk për të zbutur zhurmën e të shtënave.

Ndërkohë, babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, u lirua nga të gjitha akuzat. Megjithatë, Prokuroria njoftoi se do të ankimojë vendimin, duke kërkuar dënimin e tij si ndihmës në vepër penale. Sipas akuzës, Gjorçevski kishte informuar autorët për lëvizjet e së bijës.

Mbrojtja, nga ana tjetër, e konsideroi vendimin të pabazuar dhe deklaroi se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar krimet. Avokatët e të dënuarve theksuan mungesën e armës së krimit dhe vlerësuan se gjykata ka vepruar në kundërshtim me të drejtën.

Trupat e Vanjës dhe Pançes u gjetën më 3 dhjetor 2023, disa ditë pas raportimit të zhdukjes së tyre. Gjorçevska u gjet në periferi të Shkupit, ndërsa Zhezhovski në afërsi të Velesit.

Gjykimi nisi më 20 shtator 2024, ku të akuzuarit mohuan në mënyrë të vazhdueshme përfshirjen në vrasje, ndërsa Lupço Palevski pretendoi se rasti kishte motive politike. Në përfundim, u njoftua se një punonjës banke, që dyshohet se ka ndihmuar në asgjësimin e armës, është arrestuar dhe ndaj tij do të zhvillohet një proces i veçantë.

Shpërndaje lajmin: