Aktakuzë për shpëlarje parash ndaj një personi në Prishtinë, sekuestrim pasurie prej 400 mijë euro

Aktakuzë për shpëlarje parash ndaj një personi në Prishtinë, sekuestrim pasurie prej 400 mijë euro

Një person është vënë nën akuzë nga Prokuroria Speciale për veprën penale të shpëlarjes së parasë, pas një hetimi që zbuloi menaxhimin e afër 900 mijë eurove të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i pandehuri G.S. dyshohet se gjatë viteve 2019–2023 ka menaxhuar dhe fshehur origjinën e parave përmes kontratave fiktive dhe në bashkëpunim me persona të tjerë jashtë vendit.

Në këtë proces është përfshirë edhe një subjekt juridik me inicialet “G.S. I.S.”, i cili dyshohet se është përdorur si mjet për të legalizuar pasurinë e përfituar në mënyrë të paligjshme.

Me kërkesë të Prokurorisë, janë sekuestruar pesë parcela tokësore me vlerë rreth 355,800 euro, si dhe prona të tjera që arrijnë vlerën e përgjithshme deri në 400 mijë euro. Prokuroria ka propozuar konfiskimin e këtyre pronave pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Ndaj të pandehurit është propozuar dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë afariste, ndërsa për subjektin juridik është kërkuar edhe pushimi i veprimtarisë.

Shpërndaje lajmin: