Avokatët mbrojtës të të pandehurve Vlatko Keshishev, Bore Videvski dhe Velibor Manev, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 73-vjeçarit Pançe Zhezovski, kanë kërkuar aktgjykim me lirim. Në fjalët përmbyllëse, mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova që klientët e tyre të kenë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, duke e zhvendosur përgjegjësinë te i pandehuri kryesor, Ljupço Palevski.
Avokati i Vlatko Keshishevit, Igor Efremov, deklaroi se gjykata duhet të marrë parasysh pozicionin vartës të klientit të tij ndaj Palevskit, duke theksuar se ai kishte vepruar nën ndikimin e frikës dhe respektit ndaj këtij të fundit.
“Besojmë se Vlatko Keshishev duhet të lirohet nga akuzat për dy vepra penale të vrasjes dhe për rrëmbimin e Pançe Zhezovskit në Veles, pasi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që do ta bënte ekzekutues apo bashkëekzekutues të këtyre veprave penale. Gjykata duhet të vlerësojë varësinë dhe frikën e tij ndaj Palevskit, si dhe faktin që ai ka vepruar vetëm nën urdhërat e tij. Vetëm në rastin e rrëmbimit të Vanja Gjorçevskës, Keshishev ka pranuar pjesëmarrje, por edhe aty, sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë elementët e bashkëkryerjes, aq më pak të bashkëkryerjes në vrasje,” deklaroi Efremov.