Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pas sulmit me raketa që Irani kreu ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar. Ai e cilësoi sulmin si të dobët dhe nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të përgjigjen ushtarakisht ndaj kësaj ngjarjeje.
“Jam i kënaqur të raportoj se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe dëmet janë minimale. Më e rëndësishmja, duket se ata e ‘shkarkuan gjithë mllefin’ e tyre dhe, shpresoj, nuk do të ketë më urrejtje,” shkroi presidenti amerikan në një postim në rrjetet sociale.
Trump theksoi gjithashtu se Irani kishte dhënë një njoftim paraprak për sulmin, gjë që mundësoi shmangien e viktimave.
“Dua të falënderoj Iranin që na dha njoftim paraprak, çka bëri të mundur shmangien e viktimave njerëzore. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me entuziazëm Izraelin të bëjë të njëjtën gjë,” deklaroi ai.