Një 40-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi ishte shpallur në kërkim për mashtrim në bashkëpunim. Sipas njoftimit zyrtar, ai, së bashku me dy shtetas të tjerë, ka ndryshuar pronësinë e automjeteve të marra me qira dhe më pas i ka shitur ato.
Gjykata e Apelit në Tiranë e ka dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim. Nga ky dënim, i kanë mbetur për të vuajtur edhe 8 muaj heqje lirie.
Njoftimi i Policisë:
“Si rezultat i kontrolleve me qëllim kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të personave në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan shtetasin M. Z., 40 vjeç, banues në Elbasan. Gjykata e Apelit e Tiranës e ka dënuar me 2 vite burg për mashtrim në bashkëpunim, pasi, bashkë me dy shtetas të tjerë, ka tjetërsuar pronësinë mbi automjete të marra me qira dhe i ka shitur ato.”
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.