Pasditen e sotme janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit rreth orës 17:30.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore. Aktualisht hetuesit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit,” thuhet në deklaratën e saj zyrtare.
Policia ka nisur procedurat hetimore për të identifikuar të përfshirët dhe motivin e mundshëm të këtij incidenti. Institucionet bëjnë thirrje për qetësi dhe bashkëpunim të qytetarëve me autoritetet për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.