Partitë opozitare marrin pjesë në takimin e ftuar nga Kurti për zhbllokimin e Kuvendit

Partitë opozitare marrin pjesë në takimin e ftuar nga Kurti për zhbllokimin e Kuvendit

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar sot në një takim krerët e partive të përfaqësuara në Kuvend, në përpjekje për të tejkaluar ngërçin institucional që pasoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Takimi është paraparë të mbahet në orën 16:00, ndërsa pjesëmarrja e shumicës së partive parlamentare është konfirmuar.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, deputeti Përparim Gruda njoftoi se kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë dhe do të prezantojë qëndrimin e partisë lidhur me hapat që, sipas tyre, mundësojnë tejkalimin e situatës në përputhje me vendimin e Kushtetueses.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës është konfirmuar pjesëmarrja, por nuk është bërë e ditur nëse në takim do të marrë pjesë kryetari Lumir Abdixhiku apo një përfaqësues tjetër i partisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet nga deputetja Time Kadrijaj, ndërsa Nisma Socialdemokrate do të përfaqësohet nga kryetari Fatmir Limaj, i cili e cilësoi pjesëmarrjen si pjesë të “vizionit” të tij për tejkalimin e krizës.

Ky takim vjen një ditë pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, që adreson bllokimin e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Shpërndaje lajmin: