Raketë balistike godet një ndërtesë të lartë pranë Tel Avivit, tensionet rriten

Raketë balistike godet një ndërtesë të lartë pranë Tel Avivit, tensionet rriten

Një raketë balistike e lëshuar nga Irani ka goditur një ndërtesë shumëkatëshe në rrugën Jabotinsky në zonën e Ramat Gan, pranë qendrës së Tel Avivit, vetëm rreth 200 metra larg zonës së njohur të bursës së diamanteve.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, goditja shkaktoi dëme të mëdha, ku një biznes picash pësoi dëmtimet më të rënda. Gjithashtu, disa ndërtesa të vjetra banimi në afërsi u shkatërruan pjesërisht për shkak të fuqisë së shpërthimit.

Autoritetet lokale nuk kanë raportuar menjëherë për viktima, ndërsa banorët – të mësuar tashmë me situatën e luftës që ka hyrë në ditën e gjashtë – u drejtuan me shpejtësi drejt strehimoreve.

“E ndjeva sikur ishte një bombë bërthamore. Gjithçka u trondit si nga një tërmet”, tha Asher Adiv, 69 vjeç, banor i një apartamenti pranë zonës së goditur. Asheri, me prejardhje iraniane nga nëna e tij, u rrit duke folur persisht dhe shprehu mendime të forta për zhvillimet e fundit.

“Shtetasit iranianë duhet të çohen në këmbë dhe të rrëzojnë regjimin. Kjo nuk është vetëm luftë për Izraelin, por për sigurinë e gjithë botës. I bëjmë thirrje Donald Trumpit të ndërhyjë dhe ta zgjidhë këtë çështje njëherë e mirë”, theksoi ai.

Ndërkohë, presidenti amerikan është duke shqyrtuar opsionet ushtarake në lidhje me zhvillimet e fundit. Emri i tij përmendej shpesh nga banorët që ishin mbledhur pranë stacioneve të policisë, duke ndjekur punën e ekipeve të shpëtimit mes rrënojave dhe xhamave të thyer.

Anny, bashkëshortja e Asherit, një emigrante nga Maroku e cila jeton në Izrael që nga viti 1969, u shpreh optimiste për aftësinë e vendit për të përballuar kërcënimin.

“Trump duhet të jetë pranë nesh. Ka ardhur koha që të shkatërrohen qendrat bërthamore të Iranit. Ne jemi qytetarë të thjeshtë, por kërcënohemi vazhdimisht. Nuk kemi alternativë. E pamë se çfarë ndodhi më 7 tetor. Populli ynë është i qëndrueshëm dhe do të vazhdojë të rezistojë. Ose ne do t’i ndalim ata, ose ata do të na ndalin ne”, përfundoi ajo.


Shpërndaje lajmin: