Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar nga paraburgimi me tone të forta ndaj akuzave që rëndojnë mbi të, duke i cilësuar si të fabrikuara me urdhër politik dhe pjesë e një fushate për dizinformim publik.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka thënë se ndodhet në qendër të një sulmi të organizuar nga kryeministri Edi Rama dhe drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, me qëllim që ta lidhin në mënyrë artificiale me bashkëshorten e tij të mëparshme, Monika Kryemadhi.
“E mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur në opinion një çift që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje në aktakuzën që më është komunikuar më 27 maj, më kanë quajtur ende i martuar,” shkruan Meta.
Ai nënvizon se nuk mban më asnjë përgjegjësi familjare:
“Nuk mbaj përgjegjësi as për fëmijët e mi, të cilët janë të gjithë madhorë, as për kushërinjtë e mi. Njëri prej tyre ka qenë mik me Charles McGonigal, por kjo nuk ka lidhje me mua,” shton ai.
Meta gjithashtu ironizon akuzat për një kartë të paligjshme dhe procesin gjyqësor, duke thënë:
“Zbulimi i një karte të paligjshme është vetëm propagandë. Gjykimi do të tregojë të vërtetën. Nuk mund të jetë si listat e mbyllura, por i hapur për qytetarët.”
Në fund, ai përmend edhe çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal:
“Po letër-porosia për Charles McGonigal, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur me not?”