Kryeministri Albin Kurti priti sot grupin ndërshtetëror për projektin e rrugës Prizren–Tetovë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga të dyja shtetet, përfshirë zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi.
Në takim u konfirmua se Maqedonia e Veriut do të nisë së shpejti hartimin e detyrës projektuese për ndërtimin e rrugës, një hap kyç drejt realizimit të një ndër projekteve më strategjike ndërkufitare në rajon.
Grupi punues zhvilloi edhe një takim teknik paraprak për të koordinuar kriteret dhe përgatitjen për tenderimin e projektit.
Ky ishte takimi i dytë zyrtar që nga themelimi i grupit, ku të dyja palët u zotuan për bashkëpunim të ngushtë institucional dhe angazhim të vazhdueshëm.
Kurti vlerësoi projektin si thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.