Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për lëshimin e një letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq, në kuadër të hetimeve që lidhen me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës gjatë vitit 2022.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi për Telegrafin se përveç Radoiçiqit, urdhërarreste janë lëshuar edhe për dhjetë persona të tjerë të dyshuar në këtë çështje.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit, për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq. Përveç tij, PSRK ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave të tjerë të dyshuar në këtë rast”, tha Luta.
Hetimet lidhen me barrikadat e vendosura në katër komunat veriore të Kosovës në vitin 2022. Sipas Prokurorisë, ky rast konsiderohet me përmasa të mëdha.
“Duke u hetuar mund të konfirmojmë se janë rreth 50 persona të përfshirë, për vepra penale si: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Institucioni ka njoftuar se çështja është ende në fazën e hetimeve dhe informacione të mëtejshme do të publikohen në kohën e duhur.