Tentoi të korruptojë policin me 5 euro – shoferi nga Maqedonia arrestohet në Vërmicë

Tentoi të korruptojë policin me 5 euro – shoferi nga Maqedonia arrestohet në Vërmicë

Një shofer autobusi nga Maqedonia e Veriut është arrestuar të shtunën në pikën kufitare të Vërmicës, pasi dyshohet se ka tentuar të korruptojë një zyrtar policor të Kosovës me një kartëmonedhë prej 5 eurosh.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një kontrolli rutinë nga ana e policisë kufitare, kur i dyshuari i kishte dorëzuar dokumentet bashkë me kartëmonedhën, në përpjekje për të shmangur ndonjë masë administrative.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, për shkak se i njëjti, si shofer i një autobusi, gjatë kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë, e kishte ofruar së bashku me dokumente një kartëmonedhë prej 5 euro”, thuhet në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.

Autoritetet kanë përsëritur thirrjen për qytetarët që të mos tentojnë të korruptojnë zyrtarët publikë, pasi çdo përpjekje e tillë do të trajtohet si vepër penale dhe do të ndiqet me rigorozitet ligjor.

Shpërndaje lajmin: