Një protestë masive u mbajt mbrëmjen e kaluar në qendër të Beogradit, ku sipas Arkivit të Tubimeve Publike në Serbi, morën pjesë rreth 140,000 qytetarë. Ata protestuan kundër presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe largimin e grupeve proqeveritare nga hapësirat publike.
Pavarësisht kërkesave të protestuesve, presidenti Vuçiq deklaroi paraprakisht se nuk do të plotësonte asnjërën prej tyre. Ai theksoi se nuk do të tërheqë nga qendra e qytetit grupet që ai i konsideron si “studentë që duan të mësojnë”, të cilët janë të afërt me regjimin.
Protesta fillimisht u zhvillua në mënyrë të qetë, me fjalime dhe brohoritje. Në përfundim të saj, organizatorët njoftuan se tubimi ishte mbyllur dhe i bënë thirrje pjesëmarrësve të silleshin në mënyrë të përgjegjshme.
Megjithatë, pas shpërndarjes së organizatorëve, disa grupe e shfrytëzuan situatën dhe provokuan përleshje me policinë, kryesisht në zonën pranë Parkut të Pionierëve. U raportuan përplasje, hedhje gurësh dhe shishe, si dhe përdorim i gazit lotsjellës nga forcat e rendit. Si pasojë, disa persona mbetën të plagosur dhe të tjerë u arrestuan.
Përleshjet vijuan deri në orët e vona të natës. Sipas autoriteteve, demonstrues të dhunshëm u përpoqën të përshkallëzojnë situatën, ndërsa policia ndërhyri me masa shtesë sigurie.
Pas protestës, palët kanë ndërruar akuza: njëra për dhunën e ushtruar nga forcat e rendit, tjetra për provokimet nga ana e pjesëmarrësve. Prokurori i shtetit, Nenad Stefanoviq, paralajmëroi ndjekje penale për të gjithë ata që kanë sulmuar policinë.