Shkupi ndër qytetet më të nxehta në Evropë – 41.7°C sot

Shkupi ndër qytetet më të nxehta në Evropë – 41.7°C sot

Shkupi është renditur sot si një nga qytetet më të nxehta në Evropë, me temperaturën që arriti në 41.7 gradë Celsius në zonën e Petrovecit mes orës 14:00 dhe 15:00. Ky nivel i lartë nxehtësie e pozicionon kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në vendin e tretë në kontinent për temperaturat ekstreme të regjistruara gjatë ditës.

Sipas të dhënave meteorologjike, më të nxehtat sot në Evropë ishin qytetet turke Aydin (42.6°C) dhe Fethiye (41.7°C), ndërsa valët e të nxehtit kanë përfshirë edhe qytete të tjera në Turqi si Urfa, Antalya, Dikili, Izmir dhe Manisa, ku temperaturat kanë kapërcyer 41 gradë Celsius.

Pas Shkupit, të njëjtin nivel nxehtësie (41.2°C) e regjistruan edhe qytetet Merida në Spanjë dhe Ser në Greqi.

Në nivel global, temperatura më e lartë e ditës është shënuar në Kuvajt me 47.2°C, ndërsa më e ftohta në bazën kërkimore ruse Vostok në Antarktidë, me -75.5°C.

Autoritetet meteorologjike rekomandojnë kujdes të shtuar gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, sidomos për personat në rrezik, si të moshuarit dhe fëmijët.

Shpërndaje lajmin: