“Konflikti ushtarak nuk zgjidh problemet” – Xi Jinping: Irani dhe Izraeli të ulin tensionet, Kina e gatshme të angazhohet për paqen

“Konflikti ushtarak nuk zgjidh problemet” – Xi Jinping: Irani dhe Izraeli të ulin tensionet, Kina e gatshme të angazhohet për paqen

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi se vendi i tij është “thellësisht i shqetësuar” nga “përshkallëzimi i papritur” i tensioneve në Lindjen e Mesme, i nxitur nga veprimi ushtarak i Izraelit kundër Iranit, raportoi të martën agjencia shtetërore kineze Xinhua.

Në deklaratën e tij të parë publike lidhur me përplasjen mes Iranit dhe Izraelit, që nisi të premten, Xi theksoi se Kina – një nga aleatet kryesore diplomatike dhe ekonomike të Iranit – kundërshton “çdo veprim që cënon sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të shteteve të tjera”.

“Zgjidhjet ushtarake nuk janë rruga e duhur për zgjidhjen e konflikteve, dhe përshkallëzimi i tensioneve në rajon nuk i shërben interesave të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare”, u shpreh Xi gjatë një takimi me Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.

Xi ndodhet në Astana për të marrë pjesë në Samitin e dytë Kinë-Azi Qendrore.

Ai shtoi se të gjitha palët duhet të përpiqen të zbusin situatën sa më shpejt të jetë e mundur dhe se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha vendet për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në kthimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.


Shpërndaje lajmin: