Dënohet autori i vrasjes në Fier, lirohet i mituri që ndihmoi në krim

Dënohet autori i vrasjes në Fier, lirohet i mituri që ndihmoi në krim

Gjykata e Fierit ka shpallur vendimin për dy të rinjtë e përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit Grei Bihuci, ngjarje e ndodhur në mars të këtij viti në qendër të qytetit. Florjan Muka u dënua me 12 vite burg, ndërsa vëllai i tij i mitur është liruar pas një viti paraburgim.

Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe përfundoi me shpalljen e vendimeve për të dy të akuzuarit. Florjan Muka, i cili pranoi autorësinë e krimit dhe kërkoi falje, u dënua për veprën penale të vrasjes në rrethana të cilësuara si vetëmbrojtje, duke shmangur akuzën fillestare për vrasje me paramendim.

Ndërkohë, vëllai i tij 16-vjeçar, i cili ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, dënim që e ka shlyer tashmë në paraburgim.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të qytetit, ku pas një konflikti të nisur në rrjete sociale, Florjan Muka goditi me thikë viktimën dhe plagosi edhe një mik të tij që tentoi ta ndihmonte. Grei Bihuci ishte student në degën e Teknologjisë së Informacionit dhe punonte pasdite si kamarier.


Shpërndaje lajmin: