Shtrenjtimi i naftës në Kosovë – flet Rozeta Hajdari

Shtrenjtimi i naftës në Kosovë – flet Rozeta Hajdari

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është shprehur se Kosova është më e mbrojtur në sektorin e naftës krahasuar me produktet tjera bazë, pavarësisht rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.

Ajo deklaroi se për naftën ekziston bazë ligjore që mundëson rregullimin e çmimeve, por për produktet esenciale mungon një ligj funksional, duke fajësuar opozitën për mosmiratimin e këtij ligji.

“Ligji për rregullimin e çmimeve të produkteve bazë nuk arriti të miratohej për shkak të kundërshtimeve nga opozita. Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë, duke e konsideruar si kufizim të konkurrencës së lirë”, u shpreh Hajdari.

Sipas saj, çmimi referues i derivateve përcaktohet nga Dogana e Kosovës dhe importuesit varen nga tregu ndërkombëtar. Aktualisht, çmimi i një litri naftë varion nga 1.17 deri në 1.25 euro.

Hajdari shtoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është aktiv në kontrollimin e tregut të naftës dhe inspektimet janë rritur me mbi 100% gjatë mandatit të saj.

Ajo tha gjithashtu se deri në vitin 2021, më shumë se 50% e pikave të karburanteve ishin të palicencuara, ndërsa sot 98% e operatorëve janë të licencuar. Tarifat për licencim janë ulur në 50 euro për naftën dhe 55 euro për produktet e duhanit.

Deklaratat u bënë gjatë lansimit të një skeme të re grantesh prej 1 milion euro për ndërmarrjet në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK).


Shpërndaje lajmin: