Një shtetas shqiptar, L.P., 25 vjeç, është dënuar me dy vite e nëntë muaj burg nga Gjykata e Kurorës në Stafford, Angli, pasi u kap në flagrancë me sasi të konsiderueshme të kokainës.
Ai u ndalua nga policia më 14 maj në zonën e Tamworth, ndërsa po drejtonte një automjet pa dokumentacion të rregullt. Gjatë kontrollit, oficerët zbuluan drogën të fshehur në mënyrë të pazakontë – brenda tre enëve të ndryshme me vazelinë. Së bashku me to u gjetën edhe një telefon dhe 620 paund para të gatshme.
Autoritetet britanike njoftuan se shqiptari u akuzua për posedim me qëllim furnizimi me lëndë narkotike të Klasit A, posedim pasurie kriminale, drejtim automjeti pa leje dhe pa sigurim të vlefshëm nga palë të treta.
Gjykata e shpalli fajtor dhe urdhëroi konfiskimin e parave të sekuestruara. Policia e Staffordshire njoftoi se vijon aksionet kundër krimit të organizuar, duke arrestuar mbi 1,000 persona që nga maji 2023 për vepra penale të lidhura me drogën dhe armët.