Një incident i pazakontë ndodhi të hënën në zonën e Skelës në Vlorë, ku një përplasje verbale mes dy drejtuesve të mjeteve degjeneroi në sherr fizik dhe përplasje të qëllimshme mes makinave.
Sipas informacioneve paraprake dhe dëshmive nga vendi i ngjarjes, gjithçka nisi pas një keqkuptimi në trafik. Në vijim të debatit, një prej shoferëve, që ndodhej në një automjet tip “Benz”, ka humbur qetësinë dhe ka përplasur me qëllim automjetin tjetër disa herë radhazi.
Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale në të dyja mjetet, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Të dy drejtuesit e mjeteve pritet të merren në pyetje për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë në incident.