Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se vendi i tij ka ndërprerë përkohësisht të gjitha eksportet e armëve dhe municionit. Kjo masë vjen në mes të kritikave për përfshirjen indirekte të Serbisë në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas Vuçiqit, nga tani e tutje, prodhimet ushtarake do të shpërndahen vetëm në kazermat serbe, ndërsa çdo eksport i mundshëm në të ardhmen do të kërkojë vendime të posaçme nga institucionet përkatëse.
“Eksportet janë ndalur plotësisht. Nëse do të lejohet ndonjë dërgesë, kjo do të varet nga vendime të veçanta në përputhje me interesat tona,” theksoi ai.
Vuçiq kujtoi se më parë, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, Serbia kishte lejuar eksportin e municionit drejt Izraelit, por shtoi se situata aktualisht ka ndryshuar dhe vendi nuk po dërgon më armë jashtë kufijve të vet.
Duke iu referuar shqetësimeve ndërkombëtare për shpërndarjen e armëve serbe në zona konflikti si Ukraina, presidenti serb shprehu ironi për pamundësinë për të kontrolluar përdoruesin final të armatimit: “Ku duhet t’i dërgojmë, në Antarktidë?”
Vuçiq gjithashtu u shpreh për paqen në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar si vende mike si Izraelin ashtu edhe Iranin. Ai konfirmoi se ka komunikim të drejtpërdrejtë me liderët e të dy vendeve.
Ndërkohë, konfliktet në rajon janë përshkallëzuar. SHBA njoftuan se kanë goditur objekte bërthamore në Iran, ndërsa Irani reagoi me sulme ajrore drejt Izraelit. Viktimat nga të dyja palët janë rritur, duke rënduar situatën gjeopolitike.