Po vazhdojnë punimet për rrugën Prizren–Tetovë, së shpejti pritet nisja edhe nga Maqedonia e Veriut

Po vazhdojnë punimet për rrugën Prizren–Tetovë, së shpejti pritet nisja edhe nga Maqedonia e Veriut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se punimet në territorin e Kosovës për ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë po zhvillohen me intensitet të shtuar.

Rruga përfshin një trase të re që kalon përmes malit Korf (Vërtop), ku do të ndërtohet edhe një tunel 6.4 kilometra i gjatë. Sipas Kurtit, nga ana e Maqedonisë së Veriut pritet miratimi i projektit dhe nisja e punimeve në territorin përkatës.

Ai bëri të ditur se grupi punues ndërshtetëror është mbledhur për të diskutuar dokumentin teknik të projektit – një hap kyç për realizimin e këtij investimi strategjik për të dyja vendet.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga të dyja shtetet, përfshirë zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, dhe zëvendësministrin në detyrë të Mjedisit dhe Infrastrukturës së Kosovës, Hysen Durmishi.

Aktualisht, rruga që lidh Prizrenin me Tetovën kalon përmes Prevallës dhe Glloboçicës dhe është 113 kilometra. Me ndërtimin e rrugës së re, distanca do të ulet në më pak se 50 kilometra, duke lehtësuar udhëtimin dhe forcuar lidhjet ndërshtetërore.


Shpërndaje lajmin: