Një ndryshim i rëndësishëm po vjen për përdoruesit e Gmail, dhe mosmarrja e masave përkatëse mund të çojë në humbjen e plotë të aksesit në llogari.
Gjigandi teknologjik Google po forcon sigurinë e llogarive të përdoruesve, duke kërkuar që pothuajse të gjithë përdoruesit të aplikojnë përditësime të rëndësishme në llogaritë e tyre. Masa më e re përfshin aktivizimin e detyrueshëm të verifikimit me dy hapa (2FA), që përveç fjalëkalimit, kërkon një hap të dytë sigurie, si një njoftim në telefonin inteligjent, aplikacion verifikimi apo çelës fizik sigurie.
Google ka nisur të dërgojë paralajmërime individuale përmes email-it, duke përfshirë udhëzime të qarta dhe afate kohore që zakonisht variojnë nga 15 deri në 30 ditë, brenda të cilave përdoruesit duhet të ndërmarrin veprimet e kërkuara. Pas kalimit të afatit, qasja në llogari mund të kufizohet apo bllokohet.
Kjo masë është pjesë e një fushate më të gjerë të industrisë për të luftuar valën në rritje të spam-it, phishing-ut dhe mesazheve mashtruese, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të vështira për t’u dalluar.
Pavarësisht filtrave të avancuar të inteligjencës artificiale të Google, rreziku nga sulmet kibernetike mbetet i lartë. Prandaj, kompania po e përforcon më tej infrastrukturën e saj të sigurisë.
Një anketë e fundit e zhvilluar nga vetë Google në SHBA tregon se mbi 60% e përdoruesve kanë vënë re rritje të mashtrimeve online, veçanërisht përmes mesazheve SMS dhe email-eve. Ndërkaq, afro një e treta e të anketuarve raportuan se kanë përjetuar personalisht një shkelje të të dhënave.