I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, Naim Murseli, është paraqitur sot në Klinikën e Neurologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas burimeve të afërta me rastin, Murseli është transportuar në Klinikën e Neurologjisë nën masa të rrepta sigurie, i prangosur në këmbë dhe duar. Ai i është nënshtruar një ekzaminimi mjekësor përmes skanimit CT dhe më pas është larguar nga klinika.
Kjo vizitë mjekësore pason vendimin e gjykatës, e cila më 4 qershor kishte miratuar kërkesën e mbrojtjes për një vlerësim psikiatrik ndaj të akuzuarit.
Ngjarja tragjike kishte ndodhur në nëntor të vitit 2023, ku përveç Murselit, të akuzuar për përfshirje në këtë krim janë edhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.