Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, duke theksuar rëndësinë e garantimit të natyrës paqësore të programit bërthamor iranian.
Deklarata e tij vjen pas një bisede telefonike me presidentin e ri të Iranit, Masoud Pezeshkian. Macron bëri të ditur se është arritur pajtueshmëri për të përshpejtuar negociatat mes Iranit dhe fuqive evropiane lidhur me këtë çështje të ndjeshme.
“Nuk mund të lejojmë që Irani të armatoset me armë bërthamore. I takon Iranit të sigurojë që synimet e tij janë krejtësisht paqësore,” theksoi Macron.
Ai gjithashtu shprehu bindjen se ekziston mundësia për një zgjidhje diplomatike që do të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në rajon. Franca, së bashku me partnerët e saj evropianë, do të përshpejtojë përpjekjet për të arritur këtë qëllim.