Një lojë e re që sjell në vëmendje tragjedinë e anijes së famshme Titanic pritet të lançohet në PlayStation gjatë vitit të ardhshëm. Loja titullohet “Titanic: Honor and Glory” dhe është në zhvillim prej më shumë se një dekade nga studioja Vintage Digital Revival.
Sipas njoftimeve të faqes GameOfficial, loja do t’u japë lojtarëve mundësinë të përjetojnë momentet dramatike të mbytjes së anijes, me misionin për të shpëtuar nga fundosja dhe për të mbijetuar në kushte ekstreme.
Tragjedia e Titanikut ndodhi në orët e para të 15 prillit 1912, kur anija u përplas me një ajsberg gjatë udhëtimit të saj të parë nga Southampton në New York. Nga gjithsej 2,224 persona që ndodheshin në bord, mbi 1,500 humbën jetën, duke e bërë atë një nga fatkeqësitë më të mëdha detare në histori.
Loja, e cila ka qenë në proces zhvillimi që nga viti 2012, është vlerësuar për përkushtimin ndaj detajeve historike dhe për rikonstruksionin realist të ambientit të anijes. Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë reaguar me interes për mënyrën se si loja do të simulojë arratisjen nga anija në momentet e fundit para fundosjes.
Lojtarët pritet të përballen me zgjedhje të vështira, të eksplorojnë mjediset e anijes dhe të kërkojnë mënyra për të shpëtuar jetën në një atmosferë sa realiste aq edhe emocionale.