Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në Prishtinë (PIRDEV) organizoi të enjten një konferencë mbi bashkëpunimin ndërkufitar me temën “Modeli i ri i integrimit për Ballkanin Perëndimor”. Në kuadër të panelit të parë, u trajtuan tema të ndjeshme si demokracia në epokën hibride, kërcënimet ndaj integritetit zgjedhor dhe ndikimet nga jashtë.
Gjatë diskutimeve u theksua se Kosova është vendi më i ekspozuar ndaj luftës hibride në rajon. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, foli për sfidat që vendi i tij përballet me lajmet e rreme dhe ndikimet hibride, duke shtuar se po punohet për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse, pavarësisht kufizimeve buxhetore. Ai gjithashtu përmendi sistemin zgjedhor në Kosovë si model për listat e hapura, në krahasim me sistemin proporcional të Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Komunës së Gjakovës dhe nënkryetar i AAK-së, Ardian Gjini, deklaroi se Kosova është më e cenueshme se cilido vend i rajonit nga lufta hibride. Ai theksoi se ky lloj ndikimi është përdorur në mënyrë të sofistikuar për një kohë të gjatë, me qëllim krijimin e hutimit dhe pasigurisë te qytetarët. Sipas tij, edhe pse listat e hapura janë pozitive, votimi preferencial duhet të rishikohet për shkak të ndikimit negativ në përfaqësimin cilësor në Kuvend.
Nga ana tjetër, drejtori i Plug and Play Tech Center për Ballkanin Perëndimor, Uranik Begu, ngriti shqetësimin se avancimi teknologjik do t’u japë më shumë hapësirë aktorëve që synojnë destabilizimin, përmes prodhimit të lajmeve të rreme me teknologji gjithnjë më të sofistikuar.
Në konferencë u diskutua gjithashtu për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe krijimit të mikro-rajoneve funksionale në Ballkanin Perëndimor.