Grupi kibernetik iranian “Homeland Justice” kërcënon me sulme ndaj kampit të muxhahedinëve në Manzë

Grupi kibernetik iranian “Homeland Justice” kërcënon me sulme ndaj kampit të muxhahedinëve në Manzë

Grupi i njohur i hakerëve iranianë, “Homeland Justice”, ka shpërndarë sërish një mesazh kërcënues ndaj Shqipërisë përmes rrjeteve sociale, duke e lidhur këtë reagim me konfliktin aktual mes Iranit dhe Izraelit.

Në deklaratën e publikuar në kanalin e tyre në Telegram, ky grup përmend kampin në Manzë ku janë vendosur anëtarë të organizatës së Muxhahedinëve, duke pretenduar se Irani ka të drejtë të ndërmarrë sulme raketore ndaj këtij objekti.

Kërcënimi është shoqëruar edhe me një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës, i cili shkaktoi ndërprerje të përkohshme të aksesit në faqe.

Ky nuk është rasti i parë që “Homeland Justice” shfaqet me paralajmërime të tilla. Më parë, ata kanë ndërmarrë sulme ndaj sistemeve shtetërore shqiptare, duke publikuar të dhëna personale të qytetarëve.

Në deklaratën më të fundit, ky grup shprehet:

“Po endesh afër Vdekjes.
Mbi 3000 terroristë u vendosën në Shqipëri.
Toka shqiptare ishte e detyruar të strehonte këta egërsira.
Shpresojmë që iranianët (të cilët tani kanë të drejtën ligjore për të lëshuar raketat e tyre mbinatyrore në kampin e Manzës) ta kuptojnë këtë.”

Autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar zyrtarisht deri më tani për këto deklarata.


Shpërndaje lajmin: