Pesë drejtimet ku mund të ndikohet ekonomia shqiptare nga përshkallëzimi i konfliktit SHBA-Iran

Pesë drejtimet ku mund të ndikohet ekonomia shqiptare nga përshkallëzimi i konfliktit SHBA-Iran

Përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, rrezikon të godasë ekonominë shqiptare në disa drejtime kyçe, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës, energjisë elektrike dhe produkteve ushqimore, si dhe ndikimin në sektorin e turizmit dhe industrisë.

1. Rritja e çmimit të naftës
Lënda djegëse ishte e para që ndjeu efektet e tensioneve. Në tregjet ndërkombëtare, nafta është rritur me 10 deri në 13 për qind. Ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje do të reflektohet së shpejti edhe në tregun vendas, duke shtuar kostot e transportit dhe prodhimit.

2. Kriza e energjisë elektrike
Për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, Shqipëria ka shtuar ndjeshëm importet e energjisë elektrike. Çrregullimi i tregjeve globale mund të sjellë çmime më të larta për energjinë, duke rritur presionin mbi ekonominë dhe konsumatorët.

3. Rritja e çmimit të drithërave dhe lëndëve të para
Si pasojë e konflikteve dhe paqëndrueshmërisë globale, rriten çmimet e mallrave të nevojshme për industrinë dhe konsum, përfshirë drithërat. Shqipëria, e cila ka një varësi të lartë nga importi, është e ekspozuar ndaj këtyre luhatjeve.

4. Turizmi në rrezik
Pasiguria në rajon dhe frika nga përhapja e konfliktit mund të ndikojë në anulimin e kontratave turistike, veçanërisht me turistë që vijnë përmes agjencive të huaja, duke ndikuar negativisht në të ardhurat sezonale.

5. Kriza globale e çmimeve
Banka Botërore në një raport të fundit për perspektivën globale ka paralajmëruar se përshkallëzimi i konflikteve ekzistuese – përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme – mund të sjellin një valë të re, gati shkatërruese, të krizës së çmimeve në nivel global.


Shpërndaje lajmin: