Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për manipulime të rënda në zgjedhjet e 11 majit, duke deklaruar se procesi është kthyer në një farsë elektorale.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se disponon të dhëna dhe dëshmi për parregullsi të rënda, përfshirë raste ku një person ka votuar katër herë, ndërsa komisionerët kanë ndihmuar ose votuar në emër të qytetarëve.
Sipas tij, procesi zgjedhor ka qenë i deformuar që në themel, me shkelje të fshehtësisë së votës dhe ndërhyrje të komisionerëve në kabinat e votimit.
Berisha theksoi se ky realitet nuk po vërehet vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga opinioni ndërkombëtar. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e një “narkoshteti” dhe tha se zgjedhjet nuk kanë asnjë legjitimitet.
“Zgjidhja është në dorën e shqiptarëve. Do të pranojnë një poshtërim të tillë, apo do të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre?” tha Berisha.
Ai përfundoi se Partia Demokratike nuk do t’i njohë këto zgjedhje dhe do të vazhdojë përpjekjet për të zbuluar të gjitha parregullsitë.