Zbulohen armë të rënda në Zveçan, rrezik për sigurinë

Zbulohen armë të rënda në Zveçan, rrezik për sigurinë

Në një operacion të gjerë të zhvilluar në fshatin Vallaq të Zveçanit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe EULEX-it, ka zbuluar një sasi të madhe armatimi.

Në objektin e bastisur, që sipas autoriteteve i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq, janë gjetur raketahedhës dore, granata, armë automatike dhe sasi të konsiderueshme municioni – mjaftueshëm për të armatosur një njësi të tërë.

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se ky zbulim përbën rrezik serioz për sigurinë e vendit. Ai theksoi se objektivi i institucioneve është çrrënjosja e strukturave kriminale që vijnë nga veriu.

“Sot kemi goditur një strukturë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë. Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh”, shkroi Sveçla në Facebook.

Sipas tij, institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis operacionet për të garantuar rendin në çdo pjesë të territorit të Kosovës.


Shpërndaje lajmin: