Një nga përballjet më të mëdha të dekadës në botën e boksit do të zhvillohet më 13 shtator në Las Vegas, ku Canelo Alvarez dhe Terence Crawford do të matin forcat në një supermeç historik me vlerë rreth 200 milionë dollarë (186 milionë euro).
Canelo Alvarez (63–2–2, 39 KO), një ndër boksierët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, do të mbrojë katër titujt e tij botërorë në kategorinë super të mesme (WBA, WBC, IBF dhe WBO). Përballë tij do të jetë i pamposhturi Terence Crawford (41–0, 31 KO), kampion bote në kategorinë e peshave të lehta të mesme (WBA).
Dueli do të zhvillohet në stadiumin “Allegiant” në Las Vegas, me kapacitet prej 65 mijë vendesh, dhe ngjarja do të drejtohet nga Dana White, presidenti i UFC-së, i cili për herë të parë do të debutojë si organizator në skenën e boksit profesionist.

Pas këtij supermeçi qëndron investitori saudit Turki Al-Alshikh, i cili ka financuar 186 milionë euro për ta realizuar përballjen që cilësohet si më e madhja e dekadës.
Shpërblimet që do të marrin boksierët janë mbresëlënëse:
- Canelo Alvarez pritet të përfitojë rreth 139.5 milionë euro.
- Terence Crawford do të arkëtojë afërsisht 46.5 milionë euro.
Me dy nga emrat më të mëdhenj në histori në ring dhe një interes global të jashtëzakonshëm, 13 shtatori pritet të jetë një natë që do të shkruajë histori në sportin e boksit.