Fundjava sjell mbi 2 mijë vizitorë në Kopshtin Zoologjik të Shkupit

Fundjava sjell mbi 2 mijë vizitorë në Kopshtin Zoologjik të Shkupit

Nën rrezet e diellit të qershorit, Kopshti Zoologjik i Shkupit u mbush plot këtë fundjavë, duke pritur mbi dy mijë vizitorë. Fëmijët shijuan praninë e kafshëve si luanët, gjirafat, majmunët dhe të tjera specie që nuk gjenden në natyrën e Maqedonisë.

Të intervistuarit ndanë përshtypjet e tyre për kafshët e preferuara. Disa përmendën luanët dhe majmunët, të tjerë u ndalën te devetë dhe kuajt, ndërsa kishte edhe nga ata që theksuan dashurinë për breshkat apo arushat. Megjithëse të kënaqur, shumë prej tyre kërkojnë që të shtohen edhe më shumë specie kafshësh në të ardhmen.

Në vitet e fundit, në këtë kopsht janë shënuar humbje të kafshëve si elefantja Dunja, gjirafa, jaguari dhe luani. Sipas administratës, pjesërisht kjo ka ardhur për shkak të mospërputhjes me standardet bashkëkohore evropiane për mirëmbajtjen e kopshteve zoologjike.

Vojo Ivanov, kujdestar në kopshtin zoologjik, shprehet se vizioni modern i kopshteve duhet të jetë edukues, përveç argëtimit. Ai theksoi rreziqet që paraqet ushqyerja e kafshëve nga vizitorët me produkte të dëmshme si çokollata, çipsat apo smokit, duke bërë thirrje që kjo të ndalohet përfundimisht.

Humbja e kafshëve konsiderohet pjesë e ciklit natyror, por mungesa e pasardhësve është një sfidë. Sipas Ivanovit, pjesa më e madhe e kafshëve të pranuara vijnë nga cirqe ose kopshte që nuk plotësojnë kushtet për mirëqenie. Mungesa e kushteve të nevojshme për riprodhim pengon krijimin e familjeve të plota brenda kopshteve.

Gjatë pranverës, kopshti regjistron numrin më të lartë të vizitorëve. Ndër kafshët më të pëlqyera janë pingvinët, lemurët dhe elefanti afrikan, i cili tërheq vëmendjen gjatë larjes. Në rajon ekzistojnë rreth 80 kopshte zoologjike të ngjashme.


Shpërndaje lajmin: