Kristjan Cenaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të miturit Mariglen Gjonaj në vitin 2017 në Mamurras. Vendimi është konfirmuar nga Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për të aplikuar “periudhën e sigurisë”, e cila do t’i mohonte të dënuarit çdo mundësi për lirim me kusht pas 35 viteve burg, kjo kërkesë nuk u pranua nga trupa gjykuese.
Familja e viktimës ka kërkuar zgjerimin e hetimeve, duke pretenduar se në këtë krim mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Mariglen Gjonaj u shpall i humbur në vitin 2017 dhe trupi i tij u gjet pas 7 vitesh në zonën e Fushë-Kuqes, ku ishte groposur. Sipas hetimeve, Cenaj kishte kryer krimin me qëllim grabitjen e një ore Rolex që viktima kishte me vete.