Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar nëntë vatra aktive zjarri në territorin shqiptar, konkretisht në bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.
Sipas të dhënave nga strukturat përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave civile, vatrat janë neutralizuar me ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve, duke shmangur pasoja për jetën e qytetarëve dhe dëme në banesa apo gjënë e gjallë.
Në gjashtë raste, zjarret kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi të ulët, ku rreth 0.5 hektarë janë djegur nga flakët.
Ndërkaq, dy raste përfshijnë banesa: një në lagjen nr. 5 të Kavajës dhe një tjetër në fshatin Ishull Shëngjin. Në këtë të fundit, si pasojë e një rrjedhjeje gazi, është lënduar një grua, e cila është transportuar për trajtim në Spitalin e Traumës.
Në një tjetër incident, një automjet privat është përfshirë nga flakët, duke pësuar dëme materiale.
Në terren janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse dhe 9 forca operacionale për menaxhimin e situatës.