Hetimet për vrasjen e Elis Rroshkodolit vijojnë të zbulojnë detaje të reja. Autoritetet dyshojnë se pas ngjarjes që tronditi opinionin publik qëndron një grup i strukturuar kriminal, i cili kishte për qëllim eliminimin e viktimës për shkak të konflikteve të mëparshme jashtë vendit.
Aktualisht në burg ndodhen Voltan Xhani dhe kushëriri i tij, të dy të përfshirë në hetim për këtë atentat. Në kërkim vazhdon të jetë Dritan Milani.
Një tjetër emër që ka dhënë dëshmi është Xhulio Malo, kushëri i Voltan Xhanit, i cili ka deklaruar se menaxhon servisin “Pro Diagnostic” në Bërzhitë për llogari të kushëririt të tij. Ai theksoi se pjesa e garazhit poshtë servis-it nuk është në menaxhim të tij, nuk ka çelësa dhe nuk ka dijeni për çfarë ndodh aty.
Sipas deklaratës së tij, ambienti i servis-it është marrë me qira nga shtetasi Arben Gjoshi, ndërsa kontrata nuk është formalizuar ende. Malo ka shtuar se servisi ka kamera sigurie që transmetojnë pamjet në kohë reale, por nuk ruajnë regjistrime.
Ai ka pohuar se nuk ka pasur dijeni për asnjë aktivitet të dyshimtë në ambientin që menaxhon dhe nuk e njeh personin Ervin Trale, një tjetër emër i përmendur në hetime.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë nga autoritetet kompetente.