“Gjakun e lajm me gjak” – Shtëpia e vrasësit të shqiptarit në shënjestër

“Gjakun e lajm me gjak” – Shtëpia e vrasësit të shqiptarit në shënjestër

Tensionet janë rritur ndjeshëm në Foria di Centola, Itali, pas vrasjes së 26-vjeçarit shqiptar, Rivaldo Rusi. Mediat italiane raportojnë se gjatë natës, persona të panjohur kanë sulmuar shtëpinë e sipërmarrësit Aurelio Valiante, autori i dyshuar i krimit.

Pavarësisht se Valiante dhe familja e tij janë larguar nga zona për arsye sigurie, shtëpia e tij u bë sërish objektiv sulmi. Mësohet se persona të paidentifikuar kanë tentuar të hyjnë brenda banesës, tashmë e shndërruar në vendngjarje të një tragjedie.

Aurelio Valiante është nën hetim për vrasje, fshehje kufome dhe përdorim të armës së zjarrit. Në listën e të dyshuarve është përfshirë edhe vëllai i tij, 58-vjeçar, i dyshuar për ndihmë në fshehjen e trupit të pajetë të Rusit, i cili u gjet më pas i braktisur në një zonë pyjore.

Nga përleshja që ndodhi në banesën e Valiante, mbeti i plagosur rëndë edhe 28-vjeçari shqiptar Xhuijan Curti, bashkëpunëtor i viktimës, i cili ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” në Napoli. Një tjetër person i përfshirë në tentativën për grabitje është ende në arrati.

Situata është tensionuar edhe më shumë për shkak të mesazheve kërcënuese që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ku familjarë dhe të njohur të viktimës kërkojnë “drejtësi gjaku” dhe hakmarrje.

Policia italiane ka shtuar masat e sigurisë dhe patrullimet në zonë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Autopsia e trupit të Rivaldo Rusit pritet të kryhet nesër në mëngjes, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Shpërndaje lajmin: