Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar sot lidhur me ngërçin politik në Kuvend dhe mundësinë e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ajo theksoi se një procedurë e tillë është e lejueshme, por vetëm nëse ka një vendim të seancës dhe pajtim ndërmjet deputetëve.
“Lejohet si mundësi, por duhet të ketë vendim të seancës, të pyeten deputetët,” tha Presidentja Osmani, pas ceremonisë së betimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ajo shtoi se në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, do t’i drejtohet kësaj gjykate me një kërkesë për sqarim lidhur me pasojat juridike.
“Unë planifikoj që, nëse nuk ka konstituim shumë shpejt, t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim për atë se çfarë ndodh pas 30 ditësh – sepse dua të sqarohet qartë pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues,” u shpreh Presidentja.