Maqedonia e Veriut po përjeton një valë të fuqishme të të nxehtit, me temperatura që në disa zona pritet të kalojnë mbi 40°C deri të martën. Sipas parashikimeve të meteorologëve, moti do të jetë i paqëndrueshëm nesër në pasdite dhe në mbrëmje, kur pritet zhvillimi i vranësirave lokale të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme, bubullima, erë të fortë dhe, në disa zona, edhe breshër.
Meteorologia Lençe Rizova nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike bëri të ditur se rreziku nga stuhitë afatshkurtra është real dhe rekomandohet që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar.
“Gjatë dy ditëve të para të javës së ardhshme do të kemi paqëndrueshmëri lokale dhe erëra mesatare deri të forta nga jugperëndimi. Ndërkohë, të mërkurën dhe të enjten do të depërtojë një masë ajri më e freskët nga veriu, që do të ulë ndjeshëm temperaturat”, deklaroi Rizova.
Të mërkurën, reshjet pritet të prekin kryesisht pjesët veriore të vendit. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në hapësira të hapura dhe nën pemë gjatë stuhive me shkarkesa elektrike.