Një valë e fortë të nxehti po përfshin vendin tonë, nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore që vijnë nga jugu. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, nga nesër e deri në mesin e javës së ardhshme, vendi do të përjetojë mot kryesisht me diell, me temperatura që pritet të kalojnë 40°C në disa rajone.
Temperaturat ditore do të qëndrojnë mbi 30°C në të gjithë territorin, ndërsa në disa zona pritet të arrijnë dhe tejkalojnë pragun ekstrem të 40°C. Përjashtim do të bëjnë vetëm disa pasdite, si ajo e së dielës, kur parashikohet të ketë reshje lokale shiu dhe stuhi të shkurtra me bubullima.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka publikuar një sërë rekomandimesh për qytetarët, sidomos për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, për t’u mbrojtur nga temperaturat përvëluese:
- Shmangni ekspozimin në diell midis orës 11:00 dhe 17:00.
- Vishni rroba të lehta, pambuku dhe me ngjyra të çelëta.
- Përdorni syze dielli, kapele me strehë të gjerë dhe krem mbrojtës me faktor UV 30+.
- Pini ujë më shumë se zakonisht, edhe pa ndier etje.
- Shmangni pijet alkoolike, kafeinën dhe pijet shumë të ftohta.
- Kufizoni përdorimin e furrave dhe sobave gjatë pikës më të nxehtë të ditës.
ISHP thekson gjithashtu se personat me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe respiratore duhet të respektojnë me rreptësi udhëzimet mjekësore dhe të marrin rregullisht terapinë.
Në rast të ndryshimeve në gjendjen shëndetësore, qytetarëve u rekomandohet të kontaktojnë menjëherë mjekun e familjes.